Vij në kishë të paktën një herë në javë. Unë dhe bashkëshorti i kemi rritur fëmijët në këtë kishë.
Pjesa më e madhe e njerëzve në këtë vend besojnë në Zot, por edhe sikur të ketë nga ata që nuk besojnë, nuk duhet t’ua imponojnë mendimet e tyre të tjerëve. Apo t’u thonë atyre se e kanë gabim apo se ‘Kjo nuk është mënyra duhur për të jetuar. Është kjo tjetra’. Jo.
Nuk të lejohet më të thuash diçka të tipit “Gëzuar Krishtlindjen”, se po u imponohesh të tjerëve. Por kjo nuk është e vërtetë. Thjesht po bën një urim të ngrohtë dhe që vjen nga thellësia e zemrës.
Lutemi shumë për lirinë e besimit. Tetë vitet e fundit feja ka qenë shumë e sulmuar në Shtetet e Bashkuara. Për shembull, marrim ligjet e reja për shëndetësinë, që detyrojnë fetë të bëjnë e paguajnë për gjëra në të cilat nuk besojnë apo që ndonjëherë janë në kundërshtin me besimin e tyre. Jo. Nuk është e drejtë. Nuk është korrekte. Nuk duhet të dhunosh parimet e fesë, cilado qoftë ajo.
Amerika u themelua mbi parimet e vlerat e krishtërimit, ndaj nuk duhet t’i humbasim ato. Kur Amerika i largohet fesë dhe lirisë për të cilën të parët tanë luftuan dhe erdhën këtu, atëherë gjërat nuk shkojnë mirë. Nëse feja dhunohet, në këtë vend nuk ka më liri.