Material ekskluziv i "Zërit të Amerikës"

Kërcënimi Nga Terrorizmi

Shumë prej rasteve të të shtënave masive në Shtetet e Bashkuara vitet e fundit kanë pasur si autorë Amerikanët e bardhë që kanë lindur këtu. Por sulmet në emër të ekstremizmit islamik ngjall një interes më të madh dhe premtimet e përsëritura të Presidentit Donald Trump për t'i vënë fre këtij kërcënimi përputhet plotësisht me interesat e mbështetësve të tij edhe në zona kaq rurale të Amerikës.

Transcript:

Gjërat kanë ndryshuar shumë që nga koha kur isha fëmijë. Atëherë dilnim dhe luanim futboll, bejzboll, basketboll etj. në shtëpitë e fqinjëve. Nuk e mendonim dy herë. Nuk flisnim për terrorizmin. As që na shkonte nëpër mend.

Tani nuk flitet tjetër veçse për terrorizmin… është kudo. Besoj se sot ka pjestarë të ISIS në Shtetet e Bashkuara, ne thjesht nuk e dimë cilët janë ata. Nuk e dimë ku janë. Mund të shfaqen nga hiçi nëpër spitale apo bare, siç ndodhi në Florida e Kaliforni. Nuk më pëlqen ta them, por është pikërisht kjo që po ndodh aktualisht, në këtë pikë kemi mbërritur sot. Janë kohë të tjera. Ndihet një frikë se diçka e keqe mund të ndodhë, se mund të vendosin një bombë në shkollë, në spital, gjëja e fundit që do na duhej në këto momente. Nuk jetohet me këtë ndjesi frike.

Aq shumë sa duam që njerëzit të vijnë këtu, sepse është vendi më i rëndësishëm në botë, po aq të frikësuar jemi; dhe është e natyrshme të thuash, “dale, prit pak”. Duhet t’i shikojmë me kujdes këta njerëz, të zbulojmë kush janë, nga vijnë dhe çfarë qëllimesh kanë. Gjërat janë krejt ndryshe nga njëzet apo tridhjet vite më parë.

Duhet të tregohemi më të kujdesshëm me ata që hyjnë e dalin në këtë vend. Shumica e tyre nuk vijnë këtu që të më vrasin mua, familjen time apo amerikanët. Por ka nga ata që ua bëjnë më të vështirë hyrjen në Shetet e Bashkuara atyre që thjesht vijnë si turistë apo për çfarëdolloj arsyeje tjetër. Nuk mendoj se është nevoja të shtojmë më tepër ligje shtrënguese, thjesht duhet të përforcohen këto që kemi.

—Todd Schmitz, shofer kamioni

Boscobel, Wisconsin