Ron Gruenhagen, një fermer nga Muscatine, Iowa, thotë se fermerët amerikanë varen shumë nga tregjet e huaja. “Po të mos ishte për këto tregje, do të ishim mbytur në gru dhe sojë e ndoshta nuk do të dinim ku ta çonim”, thotë ai.
73 vjeçari Ron Gruenhagen është pasardhës i imigrantëve gjermanë që u vendosën në Iowa në mesin e shekullit të 19-të. Muscatine dhe kontetë përreth Iowas dhe Illinoisit e konsumonin atë çka prodhonin brenda zonës, ose shisnin në zonat aty pranë. Kurse sot, kur rregullat e tregut janë të përcaktuara nga Washingtoni, konsumatorët më të mëdhenj janë shumë larg, në Kinë.
“Jemi krejtësisht të varur nga tregjet e huaja”, thotë ai. “Po të mos ishin ato, do mbyteshim në grurë, sojë dhe me siguri nuk do dinim se ku ta çonim gjithë atë prodhim.”
Presidenti Donald Trump ka premtuar se do rinegociojë marrëveshjet ekzistuese me tregjet e huaja, të cilat ai thotë se janë në dëm të Shteteve të Bashkuara. Ai u tërhoq nga bisedimet e Partneritetit Trans Pacifik, të cilat synonin të përforconin marrëdhëniet e tregtisë midis Shteteve të Bashkuara dhe dhjetë vendeve të tjera.
Shumë fermerë të zonës dhe drejtues biznesesh shqetësohen se kjo luftë për tregjet mund të ndërpresë marrëdhëniet e tregtisë me Kinën, Meksikën dhe vende të tjera që janë partnerë të ngushtë tregtie. Por Gruenhageni mendon se tonet e ashpra të Presidentit Trump janë një strategji.
“Gjuha e tij e ashpër më shqetëson, megjithatë ajo është pjesë e negociatave,” thotë ai. “Gjithçka që bëjmë negociohet më parë, nuk ka rëndësi nëse po blen një bukë në dyqan apo një traktor të ri. Gjithçka negociohet.”
Konteja e Muscatines në Iowa, ka lidhje speciale me Kinën, sepse Presidenti kinez Xi Jinping ka qëndruar në një familje të këtushme në vitin 1985, kur ishte një zyrtar në provincë dhe donte të mësonte më tepër rreth agrikulturës amerikane. Kur në vitin 2012, ai u kthye sërish këtu për një vizitë, kësaj here si zëvendëspresidenti i Kinës, shumë prej atyre që kishte njohur e takuan.
Një bashkësi biznesmenësh vendas që i uroi mirëseardhjen, më pas do të shndërrohej në organizatën Iniciativa Kinë-Mouscatine, e cila është ende aktive në ditët e sotme dhe promovon lidhjet e biznesit dhe investimet mes kontesë dhe kompanive kineze.
Kohët e fundit, qyteti i Muscatine organizoi festime për guvernatorin e Iowas, Terry Branstad, të cilin Presidenti Trump e ka emëruar ambasador të Amerikës në Kinë. Në këtë event performoi edhe një orkestër tradicionale kineze, e ofruar nga konsullata kineze në Çikago.
Gruenhagen beson se është një gjë e mirë që kreu i shtetit kinez e njeh Iowan dhe Amerikën rurale prej përvojës personale.
“Ai e kupton mirë si funksionon agrikultura këtu dhe kjo është gjysma e fitores në negociata,” thotë ai dhe dyshon se mund të ketë ndonjë ndërprerje të marrëdhënieve të biznesit, pavarësisht nga gjuha e ashpër e Presidentit Trump.
“Qëkurse kemi krijuar një varësi ndaj njëri-tjetrit, ata nga ushqimi ynë dhe ne nga produktet që na sigurojnë, jemi të ndërvarur dhe kjo është shumë e rëndësishme, ndoshta, për një botë në paqe,” thotë ai. Pastaj shton: “Statusin si një “superfuqi e madhe” e humbëm. Ndoshta ende mund të quhemi një superfuqi, por ama statusin “e madhe” e kemi humbur. Besoj se do të ngjitemi më lart akoma dhe do të fitojmë më shumë respekt se në të shkuarën”.
Ron Gruenhagen, 63 vjeç, fermat pranë qytetit Muscatine, Iowa, me të birin dhe nipin. Është një sipërmarrje e kushtueshme, përfshirë tokën, ndërtesat dhe pajisjet e fermës, të cilat kushtojnë rreth 1 milionë dollarë.
Reduktimi i normave
Ai gjithashtu shpreson që administrata e Presidentit Trump, e mbështetur edhe nga Kongresi Republikan, do të lehtësojë barrën legjislative mbi biznesin, industrinë dhe fermat, me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit, argumenton ai, që është armiku më i madh i tyre sot. Administrata e re duket se synon ta luftojë agjencinë.
“Kemi ligje shumë të ashpra,” thotë fermeri. “Përpjekjet për t’u përputhur më këto kërkesa na marrin shumë kohë”.
Ndonëse është pro mbrojtjes së mjedisit dhe tokës, Gruenhagen nuk beson se qeveria federale duhet t’u thotë fermerëve në Iwoa se çfarë duhet të bëjnë.
“Është më mirë që fermerët të vendosin vet se çfarë është më e mira për fermën e tyre, si ta kontrollojnë tokën dhe si ta përmirësojnë, në vend që të vuajnë burokracinë e Washingtoni, e cila u tregon se ç’është më e mira për ta”, thotë fermeri.
Megjithatë, mbrojtësit e mjedisit janë më pak optimistë, duke argumentuar se agrobiznesit ndërkombëtar, vendimarrësit e të cilit jetojnë diku tjetër, shpesh i intereson më tepër përfitimi se sa toka.
Djali dhe nipi i Gruenhagenit e ndihmojnë që të drejtojë fermën dhe ai është i lumtur që është në gjendje të vazhdojnë traditën e familjes dhe të trashëgojnë tokën, ndërtesat dhe 1 milionë dollarë pajisje.
“Është shumë punë e madhe”, thotë ai, “por të falë kënaqësi, sepse jemi në gjendje të ushqejmë shumë njerëz dhe gjithashtu, edhe botën”.