25 vjeçari Dustin Andrews futet në “Casey’s General Store”, një dyqan me çmime të lira dhe një karburant në hyrje të Donnellson, për të blerë biskota.
“Jetoj vetëm tetë kilometra larg, kështu që është e lehtë të kthehem këtu dhe të blej ndonje gjë,” thotë ai.
Donnellson, si shumë qytete të tjera të vogla në zonën e fermave, ka shume pak dyqane në qendër dhe kur bie nata dhe në fundjavë, asnjë prej tyre nuk është i hapur. Ky dyqan me çmime të leverdisshme bën përjashtim. Bizneset lulëzonin dikur në qytetet e vogla të zonave rurale, që nga fermat dhe bujqësia. Por tani kanë mbetur shumë pak ferma dhe rruga e mirë u mundëson njerëzve të bëjnë pazar pak më larg, në dyqane më të mëdha, si Walmart, i cili ofron një gamë më të gjerë produktesh me çmime më të lira.
Andrews punon me kohë të plotë në fabrikën e Siemens në Fort Madison, por jeton në periferi, sepse i pëlqen aty.
“Do ta lija punën që bëj tani për t’u marrë me fermën”, thotë ai.
Kur mbaroi shkollën e mesme, Andrew u përball me një situatë krejt të zakonshme për të rinjtë që kanë jetuar në fermë. Ka shumë tokë për të punuar, por me teknologjinë e përparuar, kërkesa për krahë pune është e ulët.
Siemensi punëson rreth 700 njerëz, të cilët i paguan më shumë se 20 dollarë në orë. Andrews nisi punë aty sapo mbaroi shkollën e mesme, por ansjëherë nuk rreshti së qeni fermer, duke punuar pa pagesë për të ndihmuar kushëririn e tij fermer si dhe duke marrë me qira pak tokë pranë Fort Madison, ku mban 20 krerë lopë, si dhe një dem për mbarështim.
“I ushqej derisa bëjnë viça dhe shkojnë 360 kilogramë, pastaj i shes, duke mbajtur shumë pak vet,” thotë ai. “Mbarështimin e lopëve e kam mësuar nga gjyshi, i cili kishte gjithashtu lopë të racës Angus.”
Atij dhe shumë të rinjve të tjerë të dhënë pas fermave, u është dashur të heqin dorë nga dëshirat e tyre. Ekonomia është kundër tyre, me çmimet e larta të tokave si dhe teknologjinë moderne të fermave, që gjithashtu kushton shumë. Censusi i viit 2012 i Ministrisë së Bujqësisë së Shteteve të Bashkuara tregon se punonjësi mesatar në një fermë sot është 58 vjeç. Midis viteve 1997 dhe 2012, pati përafërsisht 20 përqind rënie në numrin e fermerëve të rinj. Censusi tregon se numri i fermerëve ra më shumë se katër përqind, teksa madhësia e një ferme u rrit me mesatarisht 3.8 përqind.
Andrews ka ardhur në qytet për të nxjerrë një leje për armëmbajtje, siç e kërkon ligji federal. Në shumë zona urbane, njerëzit janë pajisur me leje të tilla, që të mbajnë një pistoletë në brez, por Andrewsit kjo nuk i intereson. Ai është një gjahtar i apasionuar, i cili dëshiron të ketë gjatë gjithë kohës një çifte në kamion, gati për t’u përdorur gjatë sezonit të gjuetisë. Ai gjuan drerë, pata dhe gjela deti të egër.
Andrewsit, njësoj si dhe bashkëmoshatarëve të tij në këtë pjesë të Amerikës, nuk i pëlqen fare politika. Prej shtatë vitesh, ai gëzon të drejtën për të votuar dhe mund të kishte votuar në zgjedhjet e vitit 2012 dhe 2016, por u qëndroi larg kutive të votimit të dyja herët. Ai thotë se nuk ka shumë çështje që e shqetësojnë, përveç njërës.
“Shpresoj që biznesi i energjisë së përftuar nga era të vazhdojë, sepse Presidenti Trump nuk është një fans i madh i tij”, thotë Andrews.
Iowa është një ndër shtetet më të fuqishme sa i përket prodhimit te energjisë nga era në Amerikë, duke prodhuar përafërsisht një të tretën e energjisë që përdor vetë me turbinat e erës. Por edhe pse është i shqetësuar se administrata e re mund të ketë një ndikim negativ në këtë industri që për më tepër është shumë ekologjike, Andrewsi nuk beson se ka në dorë ndonjë gjë për ta ndryshuar këtë realitet.