Rrëshqitje në xhihad

Shndërrimi i një të riu turk nga astronom në luftëtar të Shtetit Islamik

Rashid Tugral bëri për vete admirues të shumtë me fotot e mahnitshme të qiellit të natës mbi Turqi, që publikonte në median sociale. Ai ndante imazhe në faqen “National Geographic” siç ishte fotoja e një pishe me Rrugën e Qumshtit në sfond. Tugral u pranua për studime pasuniversitare në një program prestigjioz për astrofizikën në Finlandë. Ishte inteligjent dhe simpatik, i pëlqente aventura dhe kishte një natyrë të hapur. Të gjithë mendonin se karriera e tij do të ishte astronomia.

Por Tugral kërkonte diçka më shumë. Si musliman i rritur në një familje konservatore, atë nisën ta tërheqin faqet e internetit të xhihadit kur studionte në kolegj. Dhe ai përqafoi interpretimin radikal të Islamit. Në fillim të vitit 2015, Tugral u largua nga familja dhe nga jeta e rehatshme, duke iu bashkuar Shtetit Islamik (IS), xhihadistëve që luftonin brenda Sirisë.

Në gusht 2015, jeta e tij mori fund. Ai ra viktimë, duke luftuar për IS-in kundër forcave kurde. Tugral ishte 27 vjeç.

Mijëra myslimanë të rinj, të joshur nga ideologjia dhe propaganda e Shtetit Islamik, i janë bashkuar dhe luftojnë për kalifatin e vetëshpallur të terroristëve në Irak dhe Siri. Ashtu si Tugrali, shumë prej tyre braktisën jetën e mirë dhe mundësitë për karrierë. Megjithatë, historia e tij bën përjashtim, për shkak të dokumentacionit të madh në formë fotosh dhe materiali të shkruar që ai la pas dhe që tregon transformimin e tij përgjatë më shumë se një dekade.

Tugral e fotografoi Rrugën e Qumshtit nga një pikë pranë Observatorit Kombëtar Tübitak në Antalia të Turqisë, dhe e publikoi imazhin në Facebook më 7 tetor 2014.

Tugral e fotografoi Rrugën e Qumshtit nga një pikë pranë Observatorit Kombëtar Tübitak në Antalia të Turqisë, dhe e publikoi imazhin në Facebook më 7 tetor 2014.

Gjatë viteve, Tugral la pas autoportrete, foto macesh gazmore, skena qiellore mahnitëse, përsiatje për hapësirën dhe fenë si dhe komente pa fund kundër jobesimtarëve. Në një letër të publikuar në internet vitin e kaluar, ai përshkruante në formën e një kronike të përditshme përvojën me IS-in: çaste mërzie, stërvitje raskapitëse dhe tensionin për t’iu shmangur bombardimeve nga ajri. Aty ai mbron me zell të madh praktikat më barbare të Shtetit Islamik, si prerja e kokës apo skllavërimi i grave për seks.

"Kushdo që vdes pa luftuar për xhihad, ose që nuk ka menduar për xhihad vdes si një hipokrit,” - shkruante Tugrali në Facebook, duke cituar një thënie islame që i atribuohet themeluesit të kësaj feje, Muhametit. Dijetarët e rrymës kryesore të Islamit si Mohammed Abdelfadel nuk janë dakord. Ata thonë se militantët ekstremistë e shtrembërojnë kuptimin e xhihadit dhe se feja në fakt e dënon terrorizmin apo sulmet kundër civilëve.

Çfarë e bëri Tugralin t’i hynte kësaj rruge drejt radikalizmit dhe fundit të tij të dhunshëm? Një ekip gazetarësh nga Zëri i Amerikës u përpoqën të kërkojnë përgjigjen, duke analizuar postimet e tij në mediat sociale si dhe një letër prej 14 faqesh nga ditët e tij të hershme në Siri, që e përkthyen nga turqishtja. Ekipi gjithashtu intervistoi disa nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e Tugralit si dhe njerëz të tjerë, duke përfshirë të atin e tij.

Xhihadi nuk ishte rruga nga e cila u nis Tugrali; kjo nuk përputhej as me ndjenjat e tij të natyrshme, me kërshërinë apo intelektin që zotëronte. Jeta dhe vdekja e tij përbëjnë një rast tragjik studimi që lidhet me lavdinë e rreme të ideologjisë së IS-it brenda një brezi të humbur të rinjsh myslimanë, të mashtruar nga kjo ideologji.

Rritur në një familje të devotshme

I dyti mes tre fëmijëve, Tugral u rrit në Sincan të Ankarasë, në një familje që i vinte rëndësi arsimit dhe fesë. I ati ka doktoratë në letërsinë turke dhe jep mësim në një shkollë të mesme. Vëllai më i madh është inxhinier kompjuterash dhe kompozon muzikë; motra e vogël ka qenë studente; një xhaxha nga babai është profesor i matematikës.

Nga viti 2008 deri në 2014, kreu i familjes, Sulejman Tugral, komentonte në një blog për Islamin, ku publikonte poezi dhe pikëpamjet e tij konservatore. Ai kishte krijuar edhe një link për temën e tij të doktoratës "Sistemi i Vlerave në Kuran", në të cilën miratonte xhihadin militant, duke i quajtur hebrenjtë dhe të krishterët “të mallkuar” që nuk besonin në Allahun dhe profetin. "Një dënim i rëndë i pret", shkruante ai.

Ai dhe e shoqja, që ishte grua shtëpie, e regjistruan Rashidin në një kurs privat për studimin e librit të shenjtë kur ishte nxënës i shkollës së mesme, praktikë e zakonshme kjo tek familjet e devotshme ndaj fesë.

Sipër: Tugral fotografonte Rrugën e Qumshtit dhe Hënën e plotë nga Observatori Kombëtar Tübitak në Antalia të Turqisë. Fotoja është postuar më 14 tetor, 2014. Fotoja shoqëruese: Pamje e qiellit gjatë Festivalit “Star 2012” në Observatorin Kombëtar Tübitak, postuar më 12 tetor 2014.

Sipër: Tugral fotografonte Rrugën e Qumshtit dhe Hënën e plotë nga Observatori Kombëtar Tübitak në Antalia të Turqisë. Fotoja është postuar më 14 tetor, 2014. 


Fotoja shoqëruese: Pamje e qiellit gjatë Festivalit “Star 2012” në Observatorin Kombëtar Tübitak, postuar më 12 tetor 2014.

“Gjeniu” i pabindur

Nga fundi i vitit 2007, Tugrali hyri në Univeritetin Teknik të Lindjes së Mesme (METU), i njohur gjerësisht si Harvardi i Turqisë, për të studiuar fizikë. Kampusi laik ishte në kontrast të madh me jetën e tij në familje, thotë Nihat Celik, ish shok i tij i klasës, njëri prej disa personave që konfirmuan autenticitetin e shkrimeve të Tugralit dhe të postimeve të tij në median sociale.

“Gjatë ditës, ai shkonte në shkollë, në një mjedis liberal. Por mbrëmjeve, ishte me familjen në shtëpinë e tij fetare dhe konservatore,” thotë Celik. “Është e pamundur t’i shkrish në një kazan të vetëm këto dy qëndrime të ndryshme për jetën”.

Në këtë autoprotret pa datë, Tugral exploron një shteg të thepisur në Antalya.

Në këtë autoprotret pa datë, Tugral exploron një shteg të thepisur në Antalya.

Në METU, Tugral u bë i njohur për interesimin rreth astronomisë dhe fotografisë si dhe për sjelljet e tij herë-herë të çuditshme. “Ai ishte gjeni dhe bënte pyetje shumë me vend,” thotë një profesor, i cili për arsye sigurie kërkoi të mos përmendej me emër. Por Tugrali “nuk ishte studenti më i mirë, pasi nuk kishte disiplinë dhe bënte shumë mungesa në klasë.”

Tugrali u regjistrua në klubin e astronomisë të Universitetit dhe u miqësua me drejtuesin e tij Utku Boratac. Së bashku, ata studionin qiellin e natës gjatë kampingjeve. Ata ndihmonin edhe në aktivitetet vjetore të Observatorit Tübitak për vëzhgimin e yjeve, i tha Boratac Zërit të Amerikës.

Në vitin 2010, Tugrali filloi t’i publikonte fotot e tij të astronomisë në faqen e “National Geographic” ndërsa në 2012 mori pjesë në një konkurs fotografish të NASA-s për adaptimin e imazheve të marra nga teleskopi i hapësirës Hubble. Në median sociale ai përdorte emrin Nükleer Kedi ose Nuclear Cat, meqenëse kishte dobësi për macet dhe i fotografonte shpesh ato.

Tugrali u regjistrua në klubin e astronomisë të Universitetit dhe u miqësua me drejtuesin e tij Utku Boratac. Së bashku, ata studionin qiellin e natës gjatë kampingjeve. Ata ndihmonin edhe në aktivitetet vjetore të Observatorit Tübitak për vëzhgimin e yjeve, i tha Boratac Zërit të Amerikës.

Tugrali publikoi këtë imazh në Facebook më 8 tetor 2014, me diçiturën “Po më zë gjumi duke studiuar…”

Tugrali publikoi këtë imazh në Facebook më 8 tetor 2014, me diçiturën “Po më zë gjumi duke studiuar…”

Një jokomformist “i çmendur”

Tugrali ishte tip gazmor dhe ndonjëherë i çuditshëm. “Ai bënte gjithmonë shaka dhe vinte në lojë çdo gjë,” kujton një shok i klasës, i cili kërkoi të mos përmendej me emër nga frika se mund ta lidhnin publikisht me Tugralin. “Një ditë, ai erdhi në shkollë me geta, një herë tjetër erdhi pa këmishë dhe me pantallona të shkurtra,” tregon bashkënxënësi.

Turgrali ishte i pasionuar pas biçikletës, alpinizmit dhe notit deri në raskapitje fizike. “Një herë, - kujton shoku i klasës, - nga mërzitja e bëri me biçikletë të gjithë rrugën nga Ankaraja deri në qytetin jugor Konya”, një distancë prej 262 kilometrash.

Above: The ODTU Astronomy Club made a 2009 video in which members describe the universe. An excerpt features Tugral.

“Shumica e njerëzve që njoh do të më quanin të çmendur, por ata ëndërrojnë të jenë si unë, sepse unë bëj çfarë dua. Pasioni im për biçikletën është ndoshta një prej këtyre gjërave,” shkruante Tugrali në faqen e internetit Couchsurfing.

“Më pëlqen të qesh dhe t’i bëj të tjerët të qeshin (megjithëse ndonjëherë edhe qaj). Njerëzit rreth meje nuk janë… të mërzitur shumicën e kohës.”

“Një herë po pinim të gjithë alkool,” tregon një tjetër shok i tij, i cili kërkoi të mos i përmendej emri për të mos u vënë në shënjestër nga ekstremistët. Tugral “nuk po pinte me ne, por filloi të tallej me veten që nuk pinte”.

Në vitin 2013, ai mori pjesë në protestat antiqeveritare dhe filloi t’i kushtonte më tepër vemendje besimit të tij, për të kuptuar ç’po ndodhte. Ai nisi të ndryshojë, tregon shoku i tij i astronomisë, Boratac.

Tugrali pak nga pak e distancoi veten nga shumica laike në METU. Filloi të mbajë mjekër dhe nuk qethej më, sipas zakonit të IS-it. Ai ankohej me zemërim në Facebook duke thënë se “komunistët në METU të qeshin menjëherë kur ti e përshëndet vëllanë tënd duke prekur ballin.”

Sipër: Besimtarët presin të hanë darkë pas faljeve të mbrëmjes në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, Ankara, 22 shkurt 2015. (Fotoja është marrë nga Xhamia e komunitetit në METU)Tugrali fotografon kubenë e Observatorit Kombëtar Tübitak me sfond qiellin e natës, Antalya, Turqi. Postuar më 26 tetor, 2014.


Sipër: Besimtarët presin të hanë darkë pas faljeve të mbrëmjes në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme, Ankara, 22 shkurt 2015. (Fotoja është marrë nga Xhamia e komunitetit në METU)

Tugrali fotografon kubenë e Observatorit Kombëtar Tübitak me sfond qiellin e natës, Antalya, Turqi. Postuar më 26 tetor, 2014.

"Ai filloi të kalonte gjithnjë e më tepër kohë me komunitetin e xhamisë së Universitetit dhe fliste me orë të tëra për Kuranin, paragraf për paragraf, fjalë për fjalë,” tregon Boratac. “Një herë publikoi një status në Facebook për Islamin dhe unë u përpoqa të komentoj, për të hapur debat. Por ai nuk u përgjigj kurrë.”

Ndonjëherë, ai zhytej në studimet për Kuranin me ditë të tëra, madje edhe një ose dy javë, pa u larguar fare nga xhamia, i tha Zërit të Amerikës Celik, i cili gjithashtu bënte pjesë në klubin e astronomisë. Radikalizimin e mikut të tij ai ia atribuon pjesërisht pjesëmarrjes së Tugralit në një grup studimi të xhamisë. Përpara pranverës së vitit 2014, “një person tjetër nga ky grup shkoi në Siri ose Irak,” tha Celik. “Nuk e dimë se cili ishte fati i tij.”

Revista “Newsweek”, në një artikull të vitit 2015 për rekrutimet xhihadiste, ku bëhej fjalë për Tugralin, njoftonte se një ish anëtar i grupit të studimit të xhamisë iu bashkua IS-it dhe ndante video xhihadiste në internet me Tugralin. Sipas revistës, turqit që simpatizonin IS-in i kishin shpëtuar vemendjes, sepse qeveria turke i kishte përqendruar përpjekjet te luftëtarët e huaj që kalonin kufirin me Sirinë.

Tugrali ndonjëherë drejtonte lutjet në xhaminë e universitetit për shkak të aftësive si orator, thotë për gazetën turke “BirGun” Ufuk Tastan, studiues në Departamentin e Fizikës në METU. Ata kishin qenë studentë bashkë në universitet.

Pa kaluar shumë, Tugrali filloi të shprehte publikisht mbështetje për xhihadin. Në Facebook, ai shprehte keqardhje për vdekjen e civilëve sirianë, që sipas tij, ishin vrarë nga goditjet ajrore ruse, siriane apo ato të koalicionit të drejtuar nga SHBA. Dënonte gjithashtu qeverinë dhe shoqërinë turke.

“Kohë pas kohe, ai kritikonte qeverinë për korrupsion dhe rryshfet,” thotë Celik. Besonte gjithashtu se qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan “e interpretonte Islamin në mënyrë të gabuar.”

Studimet në Finlandë

Tugrali u diplomua nga METU në pranverën e vitit 2014. Atë vjeshtë ai hyri në një program masteri për fizikë në Universitetin Jyväskylä të Finlandës. Ndryshimi dramatik në aspektin e klimës dhe të gjeografisë i pëlqeu. Tugrali shkruante në Facebook se “sigurisht, kampusi i tanishëm është shumë më i mirë sesa i mëparshmi.”

Në median sociale Tugrali publikonte foto dhe mrekullohej nga vjeshta plot ngjyra e vendit nordik, po ashtu edhe nga fotografitë e maceve, ketrave dhe kafshëve të tjera.

Foto të Tugralit. Fshati piktoresk Äkäslompolo në distriktin Kolari të Finlandës, publikuar më 26 dhjetor 2014.Foto shoqëruese: Tugrali fotografon aurorën borealis në parkun kombëtar Ylläs të Finlandës. Fotoja u publikua në Facebook më 27 dhjetor 2014.


Foto të Tugralit. Fshati piktoresk Äkäslompolo në distriktin Kolari të Finlandës, publikuar më 26 dhjetor 2014.

Foto shoqëruese: Tugrali fotografon aurorën borealis në parkun kombëtar Ylläs të Finlandës. Fotoja u publikua në Facebook më 27 dhjetor 2014.

Tugrali e humbi përqendrimin te mësimet dhe filloi t’i kushtojë rëndësi më të madhe xhamisë An-Nur të qytetit Jyväskylä.

“Nuk vinte në mësim, por e kalonte pjesën më të madhe të kohës në xhami ose në internet, kur ishte në shtëpi,” tregon për gazetën “BirGun” Anbu Posakkannu, që banonte në të njëjtën shtëpi.

Sipas Posakkannut, Tugrali “shpesh thoshte se do t’i bashkohej Shtetit Islamik.” Zëri i Amerikës e pati të pamundur të kontaktonte me Posakkannun.

Shoku i Tugralit në METU, Boratac, i tregoi Zërit të Amerikës se si e ngacmonte mikun e tij për mjekrën. “E pyesja me shaka: Si të lejuan të hyje në Finlandë me këtë pamje? A të pyetën nëse do t’i bashkohesh xhihadit?” kujton Boratac.

“Këtu të gjykojnë nga synimet dhe jo nga pamja,” ishte përgjigjur Tugrali.

Por synimet e Tugralit kishin ngjallur dyshime, sipas gazetës “BirGun”. Zyrtarët finlandezë të sigurisë nisën një hetim nga fundi i vitit 2014, njoftonte gazeta.

Edhe në shkrimin e revistës “Newsweek” mbi Tugralin thuhej se policia, “e alarmuar nga postimet e tij në Facebook,” e kishte marrë atë në pyetje jashtë kampusit.

Kreu i xhamisë, Khalid Bellamine, konfirmoi për Zërin e Amerikës se personeli finlandez i sigurisë e kishte kontaktuar për ta pyetur rreth Tugralit. Por Bellamine tha se nuk e kishte takuar personalisht Tugralin dhe se askush nuk e njihte atë në komunitetin e atjeshëm.

“Nga sa kishim vënë re, ai vinte në xhami në orët e vona dhe nuk fliste me njeri,” tha Bellamine. “Nëse do të kishte ndonjë dyshim për të, sigurisht që do ta kisha raportuar.”

Sipër: Tugrali viziton motelin 7 Fells në Äkäslompolo, në jug të Finlandës.


Sipër: Tugrali viziton motelin 7 Fells në Äkäslompolo, në jug të Finlandës.

Përpara se të largohej nga Finlanda për pushimet e dimrit, Tugrali shkoi me kamerën e tij në Katedralen e Helsinkit dhe në motelin 7 Fells të Laplandit, sepse pronari “ishte një fotograf me përvojë ashtu si unë,” shkruante Tugral në Facebook.

Tugrali përballë Katedrales së Helsinkit, një kishë luteriane evangjeliste, 17 dhjetor 2014.

Një lëvizje mashtruese, pastaj arratisja

Tugral u kthye pranë familjes në Ankara, duke e përdorur si një stacion përpara se të hynte më thellë në xhihad. U tha prindërve se kishte ndërmend ta kalonte natën e 10 janarit 2015 me shokët në METU. Në fakt, u nis për në Siri me një çantë të lehtë në shpinë.

“Para se të nisesha, e vura besimin tim tek Allahu,” do të shkruante ai më vonë.

Udhëtoi me mjete të rastit. Kur po hipja në një minibus që ndaloi të më merrte, shkruan ai, “kuptova se kisha harruar aparatin fotografik.” E kishte mbajtur me vete kudo, kur fotografonte qiellin, objektet përrreth dhe evolucionin e tij si njeri. Megjithatë, do të thoshte ai, kjo harresë “nuk ishte ndonjë gjë e madhe.”

Hyrja në Siri

Këto kujtime dhe ngjarjet që rrodhën më pas përshkruhen në letrën e gjatë të Tugralit, e shkruar pjesë-pjesë në Siri, kur atij i mungonte interneti dhe nuk hynte dot në Facebook. E kishte titulluar “Përshëndetje nga Toka e Kalifatit” dhe e publikoi me anë të një linku në Facebook më 25 mars 2015.

Në qytetin kufitar Sanliurfa të Turqisë juglindore, ai u takua me njerëz nga Tunizia, Libia dhe Arabia Saudite, të cilët donin të luftonin për Shtetin Islamik. Së bashku, kaluan ilegalisht kufirin për në Siri. “Na u desh të vraponim një copë here. Bëra mirë që nuk mora me vete ndonjë valixhe të rëndë,” shkruante Tugral.

Një afgan mjekërgjatë, anëtar i IS-it, i priti të ardhurit dhe i mori me makinë për në qytetin sirian Tal Abyan. Një flamur i madh i zi ishte vendosur përgjatë rrugës. Njerëzit i futën pastaj në një shtëpi të ndriçuar me qirinj. U konfiskuan pasaportat, celularët, kompjuterat dhe të gjitha sendet personale. Tugrali mundi ta bindë një luftëtar të IS-it ta lejonte të përdorte celularin për pak minuta që t’i dërgonte email familjes.

“Lidhja me internet ishte shumë e vështirë për shkak të valës së dobët,” shkruante ai. Tugrali shkruante se celularin ia morën përpara se të mund t’i dërgonte të gjithë emailet. “Ku po shkoj, - nisa të pyes veten. - Por tani, le të bëhet ç’të bëhet.”

IS-i i mori në pyetje të ardhurit dhe i dha secilit nga një emër të rremë. “Emri im ishte Abu Huraira, që do të thotë Babai i Maces” në arabisht.

Tugrali ka mbështjellë fytyrën gjatë një stuhie rëre në Raka, kryeqyteti i vetëshpallur i Shtetit Islamik në Siri, 6 dhjetor 2015. 

Tugrali ka mbështjellë fytyrën gjatë një stuhie rëre në Raka, kryeqyteti i vetëshpallur i Shtetit Islamik në Siri, 6 dhjetor 2015. 

Vëllazëri dhe mërzi

Disa ditë më vonë, Tugralin e transferuan në një shtëpi tjetër, me muret të shpuara nga plumbat, “që duhej të ishte marrë si pre lufte”, shkruante ai. Shtëpia mbante rreth 20 njerëz dhe Tugrali vuri re larminë e tyre etnike si dhe dëshirën për të mbështetur IS-in. Njëri kishte qenë boksier profesionist në Gjermani. Një tjetër ishte inxhinjer mekanik nga Bangladeshi. Dikush kishte ardhur direkt pas lirimit nga burgu në Francë. Njëri kishte paguar 15 mijë dollarë për të udhëtuar nga Kina.

Kaluan edhe disa ditë. Tugrali dhe tetë rekrutë të tjerë i hipën në një minibus që shkonte për në Raka, kryeqyteti i shpallur i IS-it. “Shihemi në parajsë” u thanë ata të tjerëve që mbetën në shtëpi, në formën e një lamtumire gazmore.

Tugrali ekspolonte Rakan, ndërsa priste me padurim të fillonte mësimet për Sheriatin dhe trajnimin fizik që kërkohet nga IS-i përpara se të dërgojnë rekrutët në betejë. Qyteti “ishte i madh dhe i populluar dendur. Njerëzit vazhdonin të jetonin normalisht pa prerë koka”, shkruante ai në letër. “Gjëja më e bukur e Shtetit Islamik është ndalimi i duhanit kudo,” shtonte ai, por ankohej nga tymi i naftës që digjej gjithandej, “nga motoçikletat dhe nga ngrohësit”.

Tugrali kaloi dy javë në Raka, duke u shoqëruar me rekrutë të tjerë në një shtëpi të ftohtë, që nuk kishte ujë dhe ku hahej vezë e pak gjë tjetër. Ai u sëmur nga gryka, një ankesë fare e vogël, krahasuar me goditjet e frikshme nga ajri që trondisnin dyer e dritare, “sikur të frynte një erë e fortë... Çdo çast kemi frikën e ndonjë bombe që mund të bjerë mbi kokat tona.”

Përgatitja për luftë

Gjatë shtatë muajve, Tugralin e lëvizën nga njëra shtëpi në tjetrën brenda dhe pranë Rakës, pastaj në Homs. Ai u ankua për kushtet e banimit. Shtëpia ishte e ftohtë, e mbipopulluar dhe e pistë. “Ishim rreth 30 veta që flinim në një dhomë dhe na sillnin vazhdimisht njerëz të tjerë,” shkruante ai në letër.

Në një rast, banesa e tij i ngjante një shpelle primitive, megjithëse IS-i e kishte pajisur me krevatë sfungjeri, me një makinë larëse dhe një gjenerator elektrik. “Kishte edhe shumë sende të sjella si pre,” shkruante ai. Këtu hynin batanije me etiketën e OKB-së, që duket se kishin patur si destinacion refugjatët.

Stërvitja fizike e Tugralit filloi ditën e parë pas arritjes në shpellë. Rekrutët praktikonin lëvizje të tilla si kërcime të shkurtra dhe zvarritje në baltë. Tugrali, i cili mbante veshur një xhaketë dhe pantallona që i kishte blerë në Finlandë, nuk kishte dëshirë të zvarrisej në baltë me ta. “Por nuk kisha ç’bëja”, shkruante ai, duke i këshilluar rekrutët e rinj të sillnin me vete veshje ushtarake.

Mes njerëzve që banonin me të në shpellë ishte një inxhinjer britanik bashkë me të birin. “Ata dinin diçka për yjet dhe unë, pa pritur që ata të më pyesnin, nisa t’u shpjegoj,” shkruan Tugrali. Megjithëse në shpellë kishte elektricitet, ai mungonte në pjesën më të madhe të qytetit. Nuk kishte ndotje dritash që të errësonin yjet.

“Mund të them se qielli është i pastër pothuajse kudo në Shtetin Islamik”, shkruante ai.

Frika nga qielli

Thuajse kudo, rekrutët ndiqeshin nga sulmet ajrore. Avionët e Asadit “fluturonin mbi ne çdo ditë… Një bombë ra aq afër, saqë zhurma e saj na shurdhoi dhe krijoi një gropë të madhe mu pranë vendit ku ndodheshim”.

Tugrali ishte i lodhur nga jeta si njeri shpellash. Ai nuk ngurronte të pohonte problemet që kishte Shteti Islamik: gjendje e keqe sanitare, organizim i keq dhe motive të dobëta tek disa rekrutë. Një rekrut moldav, i cili më parë kishte qenë me Frontin Al-Nusra të Al-Kaedës “më tha se disa muxhahedinë vijnë për përfitime materiale, sepse marrin para dhe strehim nga Shteti Islamik,” shkruante Tugrali.

Megjithatë, Tugrali përfytyronte një të ardhme utopike.

“Shteti Islamik nuk është një shtet i shkëlqyer. Vërtet është shtet islamik, por gabimet e njerëzve nuk janë gabime të shtetit,” shkruante ai. Gjërat nuk funksionojnë në mënyrë të përsosur këtu. Pastërtisë nuk i kushtohet shumë kujdes dhe rregullat e trafikut nuk zbatohen. Por ne do të përpiqemi të rregullojmë çdo gjë hap pas hapi, sidomos me ndihmën e imigrantëve,” termi që përdor IS-i për luftëtarët e huaj.

Sipër: Tugrali, majtas, me një luftëtar të IS-it në Raka të Sirisë, 9 korrik 2015.Qyteti sirian Deir ez-Zor është kthyer në qytet fantazmë, pas luftimeve të ashpra mes trupave qeveritare dhe luftëtarëve të Shtetit Islamik, shkruan Tugrali në diçiturën e kësaj fotoje të publikuar në Facebook më 9 gusht 2015.

Sipër: Tugrali, majtas, me një luftëtar të IS-it në Raka të Sirisë, 9 korrik 2015.


Qyteti sirian Deir ez-Zor është kthyer në qytet fantazmë, pas luftimeve të ashpra mes trupave qeveritare dhe luftëtarëve të Shtetit Islamik, shkruan Tugrali në diçiturën e kësaj fotoje të publikuar në Facebook më 9 gusht 2015.

Hyrja në betejë

Pas të paktën një muaji në shpellë, ai dhe pesë rekrutë të tjerë u përzgjodhën si komando dhe do të bashkoheshin me një grup luftëtarësh me përvojë të IS-it.

Kushtet u përmirësuan papritur, shënon Tugrali. Komandot u vendosën në një shtëpi pranë Homsit. Çdo pjestari iu dha nga një batanije e re. Kuzhinieri i tyre taxhik “gatuante gjellë që ishin më pranë kulturës sonë”, duke therur një dele çdo javë për mish. “Thuajse çdo ditë na jepnin banane dhe portokalla. Na jepnin edhe 3-4 Snickers në ditë”.

Për betejën e tij të parë Tugrali u ngarkua me detyrën e kujdesit për të plagosurit, meqenëse në METU kishte marrë trajnim për ndihmën e parë. “Unë isha ‘mjeku’”, shkruante ai. “Qoftë edhe një grimë njohurie të kesh nga mjekësia, këtu mund të hyjë në punë.”

“Ishte hera e parë që dëgjoja fishkëllimat e plumbave nga kaq afër: bang, bang,” do të kujtonte ai. Tugrali dhe të tjerët fshiheshin prapa kodrave kur dëgjonin zhurmën e tankeve dhe të artilerisë.” Pas shumë orësh mes shiut dhe erës së ftohtë akull, mora lejen për t’u tërhequr. Tenda që shërbente si spital fushor mbante vetëm dy të vdekur dhe gjashtë të plagosur. Kudo kundërmonte era e gjakut,” shkruante.

Në mbrojtje të barbarizmave

Pas një tjetër nate luftimesh, Tugrali dhe shokët e tij xhihadistë u kthyen në bazë “me triumf”, shkruante ai në letër. Trofeja ishte: dy tanke, një kamion i lehtë, disa granatahedhëse dhe “tre koka të prera”.

Më pas në Facebook ai do të merrte në mbrojtje prerjet e kokave nga IS-i, gjatë një shkëmbimi komentesh me mikun e tij të astronomisë, Boratac, i cili pyeste se përse Tugrali ishte lidhur me “një grup që masakron njerëz të pafajshëm dhe pret koka njerëzish? Këto janë akte prej psikopatësh”.

Tugrali u përgjigj se ky ishte thjesht një ndëshkim për mbështetësit e regjimit sirian, “që ka vrarë aq shumë civilë të pafajshëm” si dhe për ata që nuk pranojnë autoritetin islamik, “të cilët janë bërë skllevër të Amerikës.” Në të njëjtën mënyrë ai merrte në mbrojtje xhihadistët e IS-it, që merrnin gra si skllave seksi, kryesisht nga pakica fetare Yazidi.

Prerja e kokës i shërben një qëllimi strategjik, i thoshte ai Boratacit: “Kjo bëhet vetëm për kamerat televizive, për të trembur armikun. Kur ata shohin këtë, tremben dhe ua mbathin.”

Një nuse xhihadiste

Aty nga gjysma e parë e prillit 2015, Tugrali u plagos gjatë një beteje me luftëtarët kurdë në qytetin kufitar Tal Abyad dhe shkoi në Raka për t’u mjekuar."

Tugrali i plagosur merr trajtim mjekësor në qytetin e Sirisë veriore, Tal Abyad. Fotoja u publikua më 17 prill 2015.

Tugrali i plagosur merr trajtim mjekësor në qytetin e Sirisë veriore, Tal Abyad. Fotoja u publikua më 17 prill 2015.

"Muajin tjetër, ai u martua me Aisha Zevra Et-Turki, një mbështetëse e IS-it që ishte po nga Turqia.

Në një status të mëparshëm në Facebook, ai kishte shkruar se xhihadistët e pamartuar merrnin 100 dollarë si pagë mujore dhe banonin në një shtëpi me gjashtë luftëtarë të tjerë. Luftëtarëve të huaj “u jepet katër muaj kohë për t’u martuar... Shteti Islamik të jep një shtëpi, përveç mbështetjes financiare për gratë dhe fëmijët.”

Pas dasmës, Tugrali postonte shumë më pak në median sociale. Boratac e kërkonte në Facebook, e pyeste se përse heshtëte dhe përpiqej ta bindëte të kthehej në Turqi.

“Ai më shkruante se sapo ishte martuar dhe gruaja ishte xheloze kur e shihte që harxhonte aq shumë kohë në internet,” i tha Boratac Zërit të Amerikës. “Nuk e kuptoja nëse bënte shaka apo e kishte seriozisht.”

Postimet e mëvonshme të Tugralit në Facebook dhe Twitter, megjithëse më të rralla, nxjerrin në pah dëshirën e tij në rritje për xhihad dhe këmbënguljen për të mbetur besnik i fesë. Ai protestonte kundër sulmeve ajrore të sirianëve, rusëve dhe të koalicionit të drejtuar nga SHBA, protestonte gjithashtu për vdekjet mes civilëve. Donte që gjithçka të bëhej sipas Sheriatit, “çdo gjë, që nga ngrënia e ushqimit e deri te shkuarja në banjë”.

Tugrali kritikonte arabët sirianë, të cilët, - shkruante ai në Facebook, - nuk janë në gjendje të recitojnë si duhet vargje të Kuranit ose të përshëndesin sipas mënyrës islamike: “Kur unë u them njerëzve të zakonshëm në Raka ‘Paqja qoftë mbi ju’, ata ma kthejnë ‘Hë, çkemi’. Ma shpif e gjithë kjo.

Ata që nuk besojnë, “t’u jepet bileta për në ferr”

Tugrali i mëparshëm, i riu që e kishte aq pasion shkencën, nuk ishte zhdukur krejtësisht. Herë pas here ai publikonte ndonjë foto astronomie, që e mbante në arkivin e tij. Komentonte edhe për gjeologjinë, kompanitë e ilaçeve dhe për ruajtjen e informacionit në kompjutera, që ai thoshte se një ditë do të bëhej pa kufi, ashtu si yjet.

Në Twitter, ngrinte në qiell punën e shkencëtarëve, si fizikani amerikan i fizikës teorike Richard Feynman, megjithëse i qortonte ata dhe i këshillonte: “konvertohuni në Islam përpara se t’ju vijë vdekja.” Dikur, Tugrali kishte takuar dhe kishte bërë një foto me fizikanin amerikan Walter Kohn, fitues i çmimit Nobel. Por pas vdekjes së shkencëtarit në vitin 2015, Tugrali shkruante në Twitter se, duke qenë jomysliman, ai “mori biletën për në ferr, fatkeqësisht”.

Tugrali në foto me fizikanin amerikan Walter Kohn, koha dhe vendi të panjohura.


Tugrali në foto me fizikanin amerikan Walter Kohn, koha dhe vendi të panjohura.

Tugrali vdiq në fillim të gushtit gjatë një luftimi me forcat kurde të mbështetura nga SHBA në veri të Rakas, sipas medias sociale të IS-it. Ai luftonte atje në një kohë kur Shteti Islamik po humbiste terren.

Në një intervistë të shkurtër, i ati i tha një gazetareje të Zërit të Amerikës se gruaja e Tugralit e kishte konfirmuar vdekjen gjatë një telefonate dhe kishte thënë se trupi i tij do të varrosej në Siri.

Suleyman Tugral i tha gazetares, e cila shkoi të vizitonte apartamentin e familjes në Ankara nga mesi i gushtit, se po përpiqej ta sillte trupin në Siri dhe se u kishte kërkuar autoriteteve turke të hetonin. “Ne nuk e dimë se si vdiq,” tha i ati i Tugralit. “Ia paraqitëm çështjen e vdekjes zyrës së prokurorit në Ankara dhe po presim përgjigjen.”

Ai nuk donte të fliste më tej për të birin. Edhe të afërmit e tjerë refuzuan të intervistohen.

Foto e postuar më 8 gusht në median sociale pro IS-it, që tregon Tugralin pas vdekjes në Raka të Sirisë.

Foto e postuar më 8 gusht në median sociale pro IS-it, që tregon Tugralin pas vdekjes në Raka të Sirisë.

“Shpresoj t’ju shoh në botën tjetër”

Postimi i fundit i Tugralit në Facebook u shfaq më 31 gusht, rreth një muaj pas vdekjes:

“Nëse nuk shkruaj këtu për një kohë të gjatë, dijeni se koha ime në këtë botë ka marrë fund dhe se kam arritur në botën e përtejme. Lutuni për mua që Allahu të më pranojë si martir. Ky mesazh është rregulluar që të postohet automatikisht. Shpresoj t’ju shoh në botën tjetër.”

Faqja e tij në Facebook vazhdon të ekzistojë, ndërsa llogaria e tij e Twitterit është bllokuar. Në një përgjigje për VOA, kompania Twitter tha se nga mesi i vitit 2015, ka “pezulluar më shumë se 360,000 llogari për kërcënime ose për promovim aktesh terroriste, kryesisht të lidhura me IS-in”.

Salih Doğan, studiues turk i politikës, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe i çështjeve të sigurisë në Universitetin Keele të Britanisë, vlerëson se “mijëra njerëz nga Turqia” i janë bashkuar IS-it. Ndonëse të gjithë “mund të kenë qenë ndikuar nga mizoritë e Damaskut,” tha ai për Zërin e Amerikës, motivet ndryshojnë nga njëri rekrut te tjetri. Disa prej tyre mund të kenë rrëshqitur drejt ideologjisë së xhihadit duke qenë të rritur në një familje konservatore, duke u ndierë të vënë shënjestër padrejtësisht, të rebeluar kundër statusit të ulët apo të nisur nga përfitimi financiar.

“Është e tmerrshme kur i shikon të marrin këtë rrugë,” thotë Doğan. “Mendoj se arsyeja kryesore këtu është përpjekja për të mbushur një zbrazëti në botën e brendshme, emocionale të një qënieje njerëzore.”

Në qytetin e Rakas të kontrolluar nga IS-i, Tugral u mësonte fëmijëve për teleskopin. Ai e postoi këtë foto në Twitter më 5 maj 2016.

Në qytetin e Rakas të kontrolluar nga IS-i, Tugral u mësonte fëmijëve për teleskopin. Ai e postoi këtë foto në Twitter më 5 maj 2016.

Pikëpyetjet për Tugralin nuk i hiqen nga koka mikut të tij të astronomisë, Boratac.

Dikur, ata kishin parë në qiellin e natës një dritë të fortë të pashpjegueshme dhe Boratac tha se duhet të ishte UFO. Rashidi e dëgjoi në heshtje dhe më vonë, pasi bëri ca kërkime nëpër libra, i tha: ‘Jo mor budalla… është satelit.’ “Pastaj më këshilloi që kurrë të mos nxjerr përfundime pa bërë kërkime,” kujton Boratac.

Boratac pyet shpesh veten: Si ka mundësi që Tugrali u gënjye deri në këtë shkallë nga propaganda dhe mizoritë e IS-it?

“Si ka mundësi që arriti në atë pikë? Dikur ai ishte një njeri gazmor që nuk merrte asgjë seriozisht. Dhe pikërisht ky njeri arriti deri aty sa të justifikonte prerjen e kokave.”

Shoku i tij klasës në METU, Celik, mendon se Tugrali nuk mundi të gjente një urë mes dy botëve aq të ndryshme: “Unë besoj se mendimet e tij ishin mjaft të ngatërruara; feja në njërën anë dhe shkenca në tjetrën.”

“Mendoj se bota e tij e brendshme ishte shumë e errët,” thotë Celik. “Këtë munda ta kuptoj edhe përpara se ai t’i bashkohej IS-it.”

Raportuan gazetarët Uzay Bulut, Kasim Cindemir dhe Rikar Hussein në Redaksinë e VOA për Çështjet e Ekstremizmit. Yildiz Yazicioglu kontribuoi nga Ankaraja. Teksti u shkrua nga Carol Guensburg. Nëse nuk kanë shënime të tjera, fotot janë marrë nga llogaritë e Rashid Tugralit në Facebook dhe Twitter.